Protestat përhapen në disa qytete të Shqipërisë, përplasje mes të rinjve dhe policisë
Protestat e të rinjve kanë vijuar edhe këtë të premte në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Gjimnazistë dhe studentë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionin, ndërsa kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Përveç kryeqytetit, tubime janë zhvilluar në Lezhë, Shkodër, Burrel, Laç, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Dibër dhe Pogradec. Në shenjë proteste, të rinjtë kanë bojkotuar mësimin dhe i janë bashkuar demonstratave, të cilat në disa qytete janë shoqëruar me tensione.
Në Lezhë janë raportuar përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë, ku kanë mbetur të lënduar disa efektivë dhe një protestuese. Gjithashtu, në drejtim të një gjimnazi janë hedhur gurë. Më pas, policia është urdhëruar të tërhiqet për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ndërkohë, në Tiranë, protestuesit janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ku situata është tensionuar dhe janë regjistruar përplasje me forcat e policisë.
Rama: Ata që nxisin dhunën nuk përfaqësojnë studentët
Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga një prej kioskave të djegura në qendër të Tiranës, duke përsëritur qëndrimin e tij se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë studentët.
Sipas Ramës, personat që qëndrojnë pas episodeve të dhunshme po rrezikojnë jetën e të miturve, duke i nxitur të mbulojnë fytyrat dhe të përfshihen në akte shkatërrimi.
“ Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng qytetin gjatë ditës nuk janë studentët, e as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore s’kanë të bëjnë me ju. Si mund të nxirren të miturit në rrugë, si mund të nxiten të miturit të vënë maska, të shkulin trotuarët që mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë. Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke u hedhur në rrugë për agjentë të tjerëkujt”, u shpreh kryeministri.
Protestat, të nisura më 13 tetor, janë shoqëruar me përplasje me policinë, djegie dhe dëmtime të pronës publike e private. Për shpërndarjen e turmave dhe menaxhimin e situatës, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestat vijojnë në disa qytete të vendit. /SHENJA/
