Suzana Gjekaj, shqiptaro-amerikania me origjinë nga Ulqini, ka arritur një sukses të veçantë në karrierën e saj ushtarake, duke u bërë shqiptarja e parë që merr gradën e koloneles në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me prejardhje nga Ulqini, në Malin e Zi të sotëm, Gjekaj prej vitesh shërben në radhët e ushtrisë amerikane. Para se të arrinte këtë gradë, ajo kishte shërbyer si nënkolonele, duke avancuar vazhdimisht në karrierën e saj.
Grada e kolonelit është një nga gradat e larta në hierarkinë ushtarake amerikane dhe shoqërohet me përgjegjësi të mëdha komanduese e drejtuese. Në varësi të detyrës, një kolonel mund të komandojë njësi të mëdha ushtarake, përfshirë brigada, ose të mbajë pozita të rëndësishme drejtuese.
Mbi gradën e kolonelit në hierarkinë ushtarake amerikane renditen gjeneral brigade, gjeneral major, gjeneral lejtnant dhe gjeneral. Grada më e lartë historike është ajo e gjeneralit të ushtrisë me pesë yje.
Arritja e Suzana Gjekajt përbën një moment krenarie për komunitetin shqiptar dhe dëshmon përkushtimin e saj në një karrierë që kërkon profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi të lartë.
