Skip to content

Fermerët mund të shlyejnë sigurimet e prapambetura pa gjoba e kamatëvonesa, ja afati dhe shumat që duhet të paguajnë

Banorët e zonave rurale që kanë në pronësi tokë bujqësore kanë mundësinë të shlyejnë detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pa paguar kamatëvonesa apo penalitete shtesë.

 

Sipas skemës së parashikuar, fermerët që jetojnë në zonat fushore duhet të paguajnë 38 mijë e 400 lekë në vit, ndërsa për banorët e zonave malore detyrimi është 29 mijë e 400 lekë në vit.

 

Eksperti Kujtim Hoxha, në një prononcim për A2 CNN, e ka cilësuar këtë si një lehtësi të rëndësishme për fermerët, pasi u krijon mundësinë të shlyejnë detyrimet e mbartura ndër vite, pa pasur barrën e gjobave dhe interesave. Kështu, ata paguajnë vetëm vlerën bazë të kontributeve.

 

Kjo mundësi vjen në kuadër të ligjit “Për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime, dogana dhe pushteti vendor”, i cili përfshin detyrimet e krijuara nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024.

 

Megjithatë, për të përfituar nga kjo lehtësi, fermerët duhet të kryejnë pagesën e plotë të kontributeve deri më 31 dhjetor 2026. Pas këtij afati, detyrimet që nuk janë shlyer do të mbeten aktive.

 

Eksperti Hoxha thekson se pagesa e sigurimeve është me rëndësi të veçantë për fermerët, pasi ndikon drejtpërdrejt në përfitimin e pensionit dhe sigurimin shëndetësor, duke u garantuar atyre mbrojtje dhe përfitime në të ardhmen.

 

Për këtë arsye, autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve që të informohen dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të mbyllin detyrimet e prapambetura dhe të ruajnë të drejtat e tyre në skemën e sigurimeve.

Published inNews Shqip