Skip to content

24-vjeçari shqiptar rrezikon jetën në Gjermani, udhëtoi i varur pas trenit për të shmangur pagesën e biletës

Një 24-vjeçar shqiptar është ndaluar nga policia gjermane pas një veprimi tepër të rrezikshëm, pasi tentoi të vazhdonte udhëtimin me tren pa paguar biletën.

 

Sipas mediave gjermane, i riu po udhëtonte me një tren të shpejtësisë së lartë ICE, në linjën nga Berlini, kur u kap nga kontrollori pa një biletë udhëtimi. Për këtë arsye, atij iu kërkua të zbriste në Potsdam.

 

Por situata mori një tjetër drejtim pas mbërritjes së tij në Stacionin Qendror të Magdeburgut. Në vend që të përfundonte udhëtimin, 24-vjeçari tentoi të hipte sërish në tren duke u varur në hapësirën mes vagonëve, me qëllim që të vazhdonte rrugën pa paguar.

 

Sjellja e tij alarmoi punonjësin e trenit, i cili njoftoi menjëherë policinë. Forcat e rendit ndërhynë dhe bënë të mundur ndalimin e shqiptarit.

 

Tashmë, 24-vjeçari rrezikon të përballet me pasoja ligjore për udhëtimin pa biletë dhe shkelje të tjera të parashikuara nga legjislacioni gjerman dhe rregulloret e transportit hekurudhor.

 

Ndërkohë, Inspektorati Federal i Policisë në Magdeburg ka paralajmëruar se udhëtimi në pjesën e jashtme të trenave dhe lëvizja mbi shinat hekurudhore përbëjnë rrezik serioz për jetën e njerëzve.

Published inNews Shqip