Skip to content

Udhëtimet e Zyrës së Presidentes kushtojnë mijëra euro, zbulohen shifrat e biletave të avionit

273 mijë euro për bileta avioni në tre vjet, Zyra e Presidentes së Kosovës planifikon 700 udhëtime

Zyra e Presidentes së Kosovës ka përfunduar procedurën e prokurimit për furnizimin me bileta avioni, për të cilat gjatë tre viteve të ardhshme janë paraparë të shpenzohen 273,003 euro.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), kontrata ka një kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe parasheh sigurimin e 700 biletave të avionit për nevojat e institucionit të Presidentes, Justina Shiroka-Pula.

Procedura e prokurimit është përmbyllur më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i kontratës ishte planifikuar për një ditë më vonë.

Fitues i tenderit është shpallur operatori ekonomik “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, në një garë ku kanë marrë pjesë gjithsej dy kompani.

Në dokumentacionin e tenderit është përcaktuar një çmim referues prej 390 eurosh për biletë, ndërsa vlera e përgjithshme për 700 bileta arrin në rreth 273 mijë euro. Kontrata përfshin gjithashtu tarifën e shërbimit, e paraparë në 300 njësi.

Institucioni ka sqaruar se çmimi prej 390 eurosh është vetëm orientues dhe nuk nënkupton se të gjitha biletat do të blihen me këtë vlerë. Kostoja reale do të përcaktohet në bazë të çmimeve të tregut dhe rezervimeve përmes sistemeve ndërkombëtare të udhëtimit, si AMADEUS, GALILEO dhe SABRE.

60 për qind e udhëtimeve drejt Evropës

Sipas specifikimeve të tenderit, 60 për qind e udhëtimeve të planifikuara do të realizohen në destinacione evropiane, ndërsa 40 për qind në vende të tjera të botës.

Biletat do të jenë kryesisht të kategorisë ekonomike. Kalimi në kategori të tjera do të lejohet vetëm në raste të veçanta, kur nuk mund të sigurohet një biletë ekonomike.

Operatori fitues do të jetë i obliguar ta informojë institucionin për ndryshimet e çmimeve, anulimet e fluturimeve, ndryshimet e orareve dhe çdo rrethanë tjetër që mund të ndikojë në realizimin e udhëtimeve zyrtare.

Një nga kushtet e kontratës është edhe ofrimi i asistencës jashtë orarit të zakonshëm të punës, nga ora 08:00 deri në 16:00, veçanërisht në rastet e anulimeve, grevave apo problemeve me rezervimet dhe fluturimet.

Po ashtu, kompania duhet ta informojë Zyrën e Presidentes, në momentin e blerjes së biletës, për afatin brenda të cilit ajo mund të anulohet pa kosto shtesë.

Sipas institucionit, planifikimi i kontratës është bazuar në nevojat e viteve të kaluara dhe në parashikimet për udhëtimet zyrtare gjatë tre viteve të ardhshme.

Published inNews Shqip