Skip to content

Karamuço: Altin Dumani, prokurori më i kërcënuar në Shqipëri – “I kanë nxjerrë armët”

Profesori i kriminologjisë Ervin Karamuço ka deklaruar se prokurorët e SPAK-ut përballen me kërcënime të vazhdueshme për jetën, ndërsa ka veçuar kreun e këtij institucioni, Altin Dumani, si prokurorin më të kërcënuar nga krimi i organizuar në Shqipëri.

Në një intervistë në Euronews Albania, Karamuço tha se Dumani është në shënjestër për shkak të çështjeve të rëndësishme që ka në hetim, duke theksuar se për këtë arsye atij i janë vënë në dispozicion masa të shtuara sigurie dhe një numër i madh truprojash.

Sipas profesorit, kërcënimet nuk janë drejtuar vetëm ndaj prokurorit, por edhe ndaj familjes së tij, duke bërë të nevojshme ndërmarrjen e masave konkrete për mbrojtjen e tyre.

Karamuço përmendi gjithashtu raste të përplasjeve me armë zjarri, përfshirë një incident në Fier, si dhe ngjarje të tjera në Tiranë dhe Durrës që, sipas tij, nuk janë bërë publike.

“Ata janë një forcë që përballet me kërcënime çdo ditë”, u shpreh Karamuço, duke shtuar se ekziston një strukturë e posaçme që vlerëson nivelin e rrezikut dhe përcakton masat e nevojshme të sigurisë.

Ai theksoi se mbrojtja e Altin Dumanit është konsideruar e domosdoshme për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme ndaj tij dhe familjes.

Published inNews Shqip