Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët e Njësisë nr. 2, ku u ndal te rritja ekonomike, politikat sociale dhe reforma e pensioneve. Ai prezantoi ndryshimet e reja në skemë, duke theksuar se pensionet pritet të rriten çdo vit, ndërsa deri në vitin 2030 synohet një rritje e ndjeshme sipas kategorive.
Rama u shpreh se për shumë vite rritja e pensioneve ka qenë e kufizuar vetëm në indeksim, i cili nuk përfaqëson një rritje reale të të ardhurave. Sipas tij, arsyeja kryesore ka qenë mungesa e mbështetjes nga ekonomia, ndërsa tashmë situata ka ndryshuar.
“Për herë të parë kemi mundësinë që nga janari i vitit të ardhshëm të garantojmë rritje të përvitshme të pensioneve,” tha ai, duke shtuar se ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë të re zhvillimi që e bën të mundur këtë hap.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se po shqyrtohen ndryshime të tjera në skemën e pensioneve, përfshirë krijimin e mundësive për kursime shtesë për qytetarët dhe hapësira për pensionistët që duan të vazhdojnë të punojnë. Një vëmendje e veçantë, sipas tij, do t’u kushtohet edhe personave me aftësi të kufizuara, për të siguruar trajtim më të barabartë.
Ai theksoi se në fokus të politikave të qeverisë mbeten pensionistët dhe familjet në nevojë. Në këtë kuadër, po përgatitet edhe një skemë e re mbështetjeje për shtresat më të pambrojtura, e cila do të bazohet në një kartë shpenzimesh për blerjen e produkteve bazë të shportës.
“Prioriteti ynë janë pensionistët dhe familjet në nevojë. Mbështetja do të jetë konkrete dhe e orientuar drejt nevojave bazë,” u shpreh Rama.