SKANDAL NË FRONT: Komandanti shkarkohet pas publikimit të pamjeve tronditëse të ushtarëve të kequshqyer
Një komandant i lartë ukrainas është shkarkuar nga detyra pasi në rrjetet sociale u publikuan imazhe tronditëse të disa ushtarëve në gjendje të rëndë fizike.
Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës reagoi menjëherë pas shpërthimit të skandalit, i cili u nxit nga një postim i Anastasiia Silchuk, bashkëshortja e njërit prej ushtarëve. Në fotografi, katër ushtarë shfaqen dukshëm të dobësuar, me shenja të theksuara kequshqyerjeje.
Sipas familjarëve, ata kishin kaluar rreth tetë muaj në vijën e frontit, në një zonë pranë Kupianskut, duke mbrojtur një territor gjithnjë e më të kufizuar. Furnizimet me ushqim, ujë dhe ilaçe arrinin vetëm përmes dronëve, për shkak të rrezikut të lartë në terren.
“Kur shkuan në front peshonin mbi 80-90 kilogramë, ndërsa tani mezi arrijnë 50. Ka pasur raste kur kanë qëndruar deri në 17 ditë pa ushqim. Janë detyruar të pinë ujë shiu dhe të shkrijnë borë për të mbijetuar”, ka rrëfyer Silchuk.
Një tjetër familjare, Ivanna Poberezhnyuk, deklaroi se disa prej ushtarëve kanë humbur ndjenjat nga uria, ndërsa të tjerë vazhdojnë të mbeten të bllokuar në pozicione të rrezikshme.
Pas reagimeve të forta, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës konfirmoi zëvendësimin e komandantit përgjegjës për logjistikën dhe furnizimet. Vetë brigada pranoi se ka pasur probleme serioze në këtë drejtim, duke theksuar se dërgesat janë tepër të vështira për shkak të afërsisë me vijat e armikut.
Sipas një zëdhënësi, furnizimet realizohen kryesisht me dronë, por ato shpesh bëhen objektiv i forcave ruse, të cilat synojnë ndërprerjen e logjistikës më shumë sesa pajisjet ushtarake.
Që nga nisja e luftës në shkallë të plotë në vitin 2022, zonat e përplasjes janë bërë gjithnjë e më të rrezikshme, ndërsa përdorimi i dronëve ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e zhvillimit të luftimeve. Në disa raste, ushtarët detyrohen të përshkojnë deri në 10-15 kilometra në këmbë për të arritur në pozicionet e tyre.
Në muajt e fundit, Ukraina ka shtuar përdorimin e mjeteve tokësore pa pilot për transportin e furnizimeve dhe evakuimin e të plagosurve, ndërsa në zonën e Kupianskut, forcat ruse kanë shkatërruar ura kyçe për të izoluar trupat ukrainase.