Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një punëtor 50-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës. Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë dy ditë më vonë në spital, ku ishte shtruar në gjendje kritike.
Aksidenti ndodhi më 27 prill në zonën rurale të Melliccianos, pranë Castelfiorentinos, afër San Miniatos. Sipas të dhënave paraprake, burri po punonte në një fermë bujqësore kur një betonierë portative u përmbys papritur, duke e zënë poshtë dhe duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, të cilat e gjetën në gjendje shumë të rëndë. Ai u intubua në vend dhe më pas u transportua me helikopterin e urgjencës “Pegaso” drejt spitalit Careggi në Firence, ku u trajtua në repartin e terapisë intensive.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, plagët e marra rezultuan fatale dhe ai ndërroi jetë mëngjesin e 29 prillit.
Sipas informacioneve, viktima kishte mbetur e bllokuar nën makineri, ndërsa kolegët dhe ekipet e para të ndihmës ndërhynë për ta nxjerrë dhe për t’i dhënë ndihmën e parë deri në mbërritjen e shërbimeve të specializuara.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, duke verifikuar kushtet e sigurisë në vendin e punës dhe përgjegjësitë e mundshme.
Kjo tragjedi vjen menjëherë pas Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, duke rikujtuar edhe një herë rrezikun që përballen çdo ditë punëtorët në sektorë të ndryshëm.