Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në zonën malore mbi fshatin Kopacëz, në Bashkinë e Delvinës, në vendin e njohur si “Jomina”, ku dyshohet se një goditje rrufeje ka shkaktuar ngordhjen masive të një tufe bagëtish.
Sipas të dhënave paraprake, si pasojë e fenomenit atmosferik kanë ngordhur rreth 150 deri në 200 dele, që i përkisnin dy vëllezërve barinj, Klement dhe Ariani Xhelili. Pamjet nga terreni tregojnë dhjetëra krerë të shtrirë në kullotë, në një zonë të goditur nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.
Ngjarja përbën një goditje të rëndë ekonomike për familjen, e cila siguron të ardhurat kryesisht nga aktiviteti blegtoral. Ndërkohë, veterinerët janë nisur drejt zonës për të kryer verifikimet dhe ekspertizën përkatëse.
Autoritetet pritet të dalin me një raport zyrtar pas përfundimit të hetimeve në terren.