Bankat rrisin tarifat nga gushti, pensionistët dhe familjet përballen me kosto më të larta
Nga muaji gusht, qytetarët pritet të përballen me një rritje të re të tarifave bankare, e cila do të ndikojë veçanërisht te pensionistët dhe familjet që përdorin rregullisht shërbimet bankare.
Sipas njoftimeve të disa bankave, komisionet për pagesat e faturave në sportel do të rriten ndjeshëm. Tarifa për një pagesë në para të gatshme do të kalojë nga 90 në 120 denarë, duke shënuar një rritje prej mbi 33 për qind.
Kjo do të thotë se një pensionist që paguan çdo muaj katër fatura të zakonshme, si energjinë elektrike, ujin, telefonin dhe internetin, mund të shpenzojë rreth 480 denarë në muaj vetëm për komisionet bankare. Në nivel vjetor, kostoja shtesë mund të arrijë deri në 100 euro.
Edhe familjet pritet të ndiejnë ndikimin e këtyre ndryshimeve. Për mirëmbajtjen e llogarive bankare dhe përdorimin e shërbimeve elektronike, një familje me katër anëtarë madhorë mund të paguajë nga 200 deri në 250 euro në vit.
Shpenzime më të larta do të kenë edhe qytetarët që planifikojnë të blejnë banesë përmes kredive bankare. Sipas vlerësimeve, komisionet dhe tarifat shtesë mund të kalojnë 90 mijë denarë para përfundimit të procedurave për marrjen e banesës.
Rritjet prekin kryesisht shërbimet më të përdorura nga qytetarët, përfshirë mirëmbajtjen e llogarive, bankimin elektronik, pagesat e faturave, transfertat ndërkombëtare dhe shërbimet kreditore.