Irani lëshon raketa drejt Izraelit, rriten tensionet në rajon
Situata në Lindjen e Mesme është tensionuar sërish pas raportimeve për lëshimin e raketave nga Irani drejt Izraelit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit mes dy vendeve.
Sipas ushtrisë izraelite, alarmet ajrore u aktivizuan në disa rajone të vendit pasi u identifikuan raketa të lëshuara nga drejtimi verior. Forcat e mbrojtjes ajrore izraelite njoftuan se kanë interceptuar një pjesë të raketave, ndërsa më vonë u raportuan edhe lëshime të tjera.
Deri në këto momente nuk ka njoftime zyrtare për viktima apo dëme të mëdha materiale. Megjithatë, media të ndryshme ndërkombëtare raportojnë se disa prej goditjeve kanë pasur si objektiv zonën e Tel Avivit.
Pas zhvillimeve të fundit, autoritetet iraniane vendosën mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore, ndërsa një numër fluturimesh civile janë devijuar ose anuluar për arsye sigurie.
Teherani kishte paralajmëruar më herët se do të reagonte ndaj sulmit ajror izraelit në periferinë jugore të Bejrutit, ku sipas raportimeve humbën jetën dy persona dhe u plagosën të paktën 11 të tjerë.
Nga ana tjetër, Izraeli ka pezulluar procesin mësimor në të gjithë vendin dhe ka vendosur masa shtesë sigurie, duke kufizuar tubimet publike.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, reagoi me tone të ashpra pas sulmit, ndërsa mediat amerikane raportojnë se presidenti amerikan Donald Trump është informuar për situatën dhe zhvillimet më të fundit në rajon.