Rama për protestat dhe Zvërnecin: Mandati ynë është të çojmë përpara projektet për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, komentoi protestat e zhvilluara kundër projektit të Zvërnecit, duke theksuar se ato janë pjesë e jetës demokratike të vendit.
Sipas Ramës, protestat nuk duhen parë si përballje force, por si shprehje e qëndrimeve dhe kërkesave të qytetarëve. Ai nënvizoi se qeveria ka marrë një mandat të qartë nga qytetarët për të zbatuar programin e saj dhe për të çuar përpara projekte strategjike për vendin, përfshirë procesin e integrimit europian.
Kryeministri sqaroi gjithashtu se aktiviteti i Partisë Socialiste i planifikuar më 12 qershor nuk ka lidhje me protestat dhe nuk përbën provokim ndaj tyre, por është një aktivitet i paracaktuar në kalendarin politik të forcës që ai drejton.
I pyetur për kritikat e protestuesve lidhur me shëndetësinë, furnizimin me ujë dhe energji elektrike, si edhe emigracionin, Rama pranoi se ka ende sfida për t’u adresuar. Megjithatë, ai theksoi se janë bërë përparime të rëndësishme krahasuar me të kaluarën dhe se puna do të vazhdojë për përmirësimin e shërbimeve publike.
Duke folur për të ardhmen politike, Rama deklaroi se mandati aktual përfundon në vitin 2029 dhe se në fund të tij qytetarët do të japin verdiktin e tyre përmes votës.
“Shqipëria e sotme është më e mirë se ajo e djeshmja dhe synimi ynë është që Shqipëria e së nesërmes të jetë edhe më e mirë”, u shpreh kryeministri.