Tragjedi e rëndë në Konicë: Katër vëllezër humbin jetën pas një zjarri shkatërrues
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm në Konicë, ku katër vëllezër humbën jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që shpërtheu pak para orës 07:00.
Zjarrfikësit, të cilët ndërhynë menjëherë për të vënë nën kontroll flakët, gjetën katër persona pa shenja jete brenda banesës së improvizuar ku jetonin.
Sipas mediave greke, viktimat ishin të moshës 69, 75, 83 dhe 88 vjeç. Ata jetonin prej rreth 30 vitesh në një kontejner që u ishte dhënë pas tërmetit të madh të Konicës. Kontejneri ndodhej në pronën e tyre, pranë urës së Konicës.
Banorët e zonës tregojnë se katër vëllezërit jetonin në kushte shumë të vështira, pa energji elektrike dhe me probleme të herëpashershme shëndetësore.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga një qiri ose llambë vaji, të cilat dyshohet se përdoreshin për ndriçim. Sipas raportimeve të mediave lokale, kjo mbetet një nga pistat kryesore të hetimit.
Në vendngjarje ndërhynë 10 zjarrfikës me pesë automjete, ndërsa specialistët e Departamentit të Zjarrfikësve kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e saktë të8 tragjedisë.