Tragjedi e rëndë në Konicë, katër vëllezër humbin jetën pas një zjarri shkatërrues
Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu pak para orës 07:00 të mëngjesit ka përfunduar në tragjedi, duke i marrë jetën katër vëllezërve të moshuar. Gjatë operacionit për shuarjen e flakëve, zjarrfikësit gjetën trupat e pajetë të katër personave brenda banesës së tyre të improvizuar.
Sipas mediave greke, viktimat ishin 69, 75, 83 dhe 88 vjeç. Ata jetonin prej rreth tre dekadash në një kontejner të vendosur në pronën e tyre pranë urës së Konicës, i cili u ishte dhënë pas tërmetit të madh që goditi zonën vite më parë.
Banorët e lagjes tregojnë se katër vëllezërit jetonin në kushte të vështira, pa energji elektrike dhe me probleme të vazhdueshme shëndetësore. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga një qiri ose llambë vaji, të cilat përdoreshin për ndriçim.
Në vendngjarje ndërhynë 10 zjarrfikës me pesë mjete zjarrfikëse, të cilët luftuan me flakët për të vënë situatën nën kontroll. Ndërkohë, ekspertët e Departamentit të Zjarrfikësve kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes tragjike.