Meteorologia Lajda Porja ka bërë parashikimin e motit, duke theksuar se, për shkak të ndikimit të masave të nxehta që po përfshijnë të gjithë kontinentin europian, edhe Shqipëria do të goditet ndjeshëm nga vala e të nxehtit.
Sipas saj, temperaturat në vend pritet të arrijnë deri në 37–38°C, ndërsa muaji qershor do të mbyllet me vlera rreth 7–8 gradë më të larta se normalja sezonale.
“E gjithë Europa është nën ndikimin e masave të nxehta afrikane, të cilat po sjellin temperatura shumë të larta. Edhe Shqipëria, ndonëse në periferi të kësaj vale, do të përjetojë një javë me temperatura mjaft të larta. Deri të mërkurën pritet që termometri të arrijë rreth 36°C, ndërsa në zona të izoluara edhe 37°C. Në pjesën e dytë të javës, sidomos nga e enjtja deri në fundjavë, pritet një tjetër rritje e temperaturave, duke arritur deri në 37–38°C.
Në këtë periudhë, më të rrezikuara do të jenë fillimisht zonat verilindore, ndërsa më pas edhe juglindja e vendit. Nuk përjashtohen as zonat qendrore si Tirana dhe Elbasani, ku pasditeve mund të ketë rrebeshe të shkurtra shiu.
Temperaturat e larta do të na shoqërojnë jo vetëm këtë javë, por edhe në vijim, pasi jemi në kulmin e verës. Muaji qershor pritet të mbyllet me temperatura 7–8 gradë mbi normalen. Qarqet më të nxehta do të jenë Shkodra, Berati, Elbasani dhe Gjirokastra,” u shpreh ajo.
Sipas saj, orët më të nxehta të ditës do të jenë nga ora 10:30 deri në 14:30, ndaj rekomandohet shmangia e lëvizjeve në këtë interval dhe kujdes i shtuar për hidratimin.
E pyetur për rajonin, Porja theksoi se e njëjta situatë do të prekë edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut sot dhe nesër do të kenë temperatura nga 31 deri në 34°C. Në Maqedoninë e Veriut i nxehti do të intensifikohet më vonë gjatë javës, sidomos nga e enjtja deri në fundjavë, kur priten vlera më të larta. Kosova do të ketë mot më të qëndrueshëm, me rrebeshe të izoluara.
Ndërsa Maqedonia e Veriut do të ketë mot shumë të nxehtë në pjesën e parë të ditës, ndërsa pasdite mund të përfshihet nga rrebeshe shiu, stuhi ere dhe breshër të izoluar. Dita më e nxehtë për rajonin pritet të jetë e shtuna, e cila do të shënojë kulmin e temperaturave të larta, të ndjekura më pas nga një periudhë tjetër me mot të nxehtë gjatë javës së ardhshme,” përfundoi ajo.


Be First to Comment