Tre të rinj humbën jetën në një aksident tragjik rrugor që ndodhi në orët e para të mëngjesit në rrugën shtetërore SS89, mes Foggias dhe Manfredonias, në Itali.
Sipas mediave italiane, aksidenti u regjistrua rreth orës 04:30–05:00, kur një automjet tip “Opel Corsa”, me të cilin udhëtonin tre të rinjtë, doli nga rruga për arsye që ende mbeten të paqarta.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit, Luigi Narciso, 26 vjeç, humbi kontrollin e automjetit, i cili u përplas me një skarpatë anësore dhe më pas u rrokullis disa herë. Një nga pistat kryesore që po hetojnë autoritetet është mundësia që shoferin ta ketë zënë gjumi në timon.
Përplasja ishte aq e fortë sa automjeti u shkatërrua pothuajse plotësisht.
Pas sinjalizimit nga drejtues të tjerë mjetesh që kalonin në zonë, në vendngjarje mbërritën ekipet e zjarrfikësve, shërbimet e emergjencës dhe policia, të cilat nisën menjëherë operacionin e shpëtimit.
Fatkeqësisht, drejtuesi i automjetit, Luigi Narciso, humbi jetën në vend, së bashku me dy pasagjerët, një djalë dhe një vajzë nga Manfredonia, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik.
Sipas ekipeve të emergjencës, skena e aksidentit ishte tepër e rëndë, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e plotë të kësaj tragjedie.

Be First to Comment