Rama: Protestat ndikuan në turizëm, rritja e vizitorëve u ngadalësua në qershor
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zhvillimet e fundit, të cilat ai i cilësoi si “Revolucioni Flamingo”, kanë ndikuar në ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri.
Sipas Ramës, pas një periudhe pesëvjeçare me rritje të vazhdueshme, në muajin qershor është vërejtur një ngadalësim i hyrjeve turistike, ndërsa janë regjistruar edhe anulime të rezervimeve.
“Në pesë vjet kam parë një grafik në ngecje, jo në rënie. Në muajin qershor kemi pasur vetëm 1% rritje dhe shumë anulime rezervimesh”, u shpreh Rama.
Edhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, tha se protestat kanë ndikuar negativisht në sektor, duke theksuar se ritmi i rritjes së vizitorëve në qershor ishte shumë më i ulët krahasuar me muajt e mëparshëm.
Ai bëri të ditur se gjatë pesë muajve të parë të vitit rritja e hyrjeve turistike ishte rreth 8.2%, ndërsa në muajin maj arriti afërsisht 16%. Por, sipas tij, në qershor rritja zbriti në vetëm 1.2%, duke e cilësuar këtë një goditje të fortë për sektorin e turizmit.

Be First to Comment