Deklaratat e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, kanë shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare. Sipas raportimeve, ajo deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
Këto deklarata janë dënuar nga disa deputetë gjermanë, të cilët i kanë cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat demokratike.
Deputetja e Bundestagut, Jasmina Hostert, u shpreh se justifikimi i spastrimit etnik është një fyerje për viktimat e Luftës së Kosovës dhe bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Nuk duhet të ketë vend për deklarata të tilla në një qeveri demokratike. Ato dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ministrja duhet të japë dorëheqjen,” deklaroi Hostert.
Edhe deputeti gjerman Adis Ahmetoviq reagoi, duke theksuar se një sinjal i qartë nga Beogradi do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i ministres.
Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane, por retorika nacionaliste dhe deklaratat që nxisin urrejtje nuk kanë vend në Bashkimin Evropian dhe dëmtojnë procesin e integrimit evropian.

Be First to Comment