Udhëtimi me tren mes Tiranës dhe Durrësit pritet të rikthehet gjatë vitit të ardhshëm, pas avancimit të punimeve për modernizimin e linjës hekurudhore.
Qeveria ka miratuar kredinë për elektrifikimin e hekurudhës Tiranë–Durrës, e cila do të lidhet edhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Projekti financohet kryesisht nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe do të realizohet në dy faza.
Në fazën e parë do të hartohet propozimi teknik dhe do të përcaktohen zgjidhjet inxhinierike që plotësojnë objektivat e projektit. Më pas, në fazën e dytë do të përditësohen dokumentet teknike dhe do të zbatohen ndryshimet e nevojshme për përfundimin e investimit.
Përveç rehabilitimit të trasesë hekurudhore, puna po vijon edhe për ndërtimin e stacioneve të reja. Linja Tiranë–Durrës, së bashku me degëzimin drejt Aeroportit të Rinasit, do të ketë një gjatësi totale prej 39 kilometrash.
Trenat elektrikë do ta përshkojnë këtë itinerar për rreth 22 minuta, ndërsa përgjatë linjës do të ndërtohen gjithsej 11 stacione për t’u shërbyer udhëtarëve.
Projekti u financua fillimisht me rreth 70 milionë euro nga BERZH, ndërsa këtë vit u miratua edhe një financim shtesë prej 40 milionë eurosh për përfundimin e punimeve. Sipas qeverisë, fondet shtesë u bënë të nevojshme për shkak të rritjes së kostove të materialeve të ndërtimit, si edhe për ndërtimin e stacioneve të reja.

Be First to Comment