Një grua 71-vjeçare ka humbur jetën pasi u gjet pa shenja jete në një bunar në fshatin Koshare të Ferizajt, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se rreth orës 13:00 të së mërkurës, Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar një njoftim se një grua kishte rënë në një pus (bunar) në fshatin Koshare.
Sipas tij, menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë për të kryer veprimet e nevojshme hetimore.
Në operacionin e shpëtimit ka ndërhyrë edhe Brigada e Zjarrfikësve, e cila ka nxjerrë trupin e gruas nga bunari. Më pas, ekipi i Emergjencës nga Ferizaj ka konstatuar vdekjen e viktimës, e cila ishte 71 vjeçe.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore. Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Be First to Comment