Policia sekuestron pasuri me vlerë 420 mijë euro në Tiranë, nën hetim një 54-vjeçar
Policia e Shtetit ka përfunduar në Tiranë operacionin e koduar “De facto”, i cili kishte në fokus identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të dyshuara me burim kriminal.
Në kuadër të hetimit pasuror, të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë dhe përmes metodave speciale të hetimit, autoritetet kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi.
Sipas të dhënave të policisë, vlera e tregut e këtyre pasurive arrin rreth 420 mijë euro. Dyshohet se ato janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shtetasit me inicialet H. A., 54 vjeç, i cili është nën hetim për trafikim të lëndëve narkotike.
Hetimi është zhvilluar në bazë të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit përmes masave parandaluese ndaj pasurisë.
Autoritetet bëjnë me dije se veprimet hetimore vijojnë për të zbuluar dhe sekuestruar edhe pasuri të tjera që mund të jenë krijuar nga veprimtaria kriminale e 54-vjeçarit ose personave të lidhur me të.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve.

Be First to Comment