Skip to content

Vapa pushton Shqipërinë! Sinoptikani zbulon kur arrijnë kulmin temperaturat

Vapa ekstreme do të vijojë të përfshijë Shqipërinë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa vala afrikane e të nxehtit pritet të arrijë kulmin këtë fundjavë. Sipas sinoptikanit Hakil Osmani, temperaturat do të rriten gradualisht deri të shtunën, kur në disa zona të vendit termometri mund të shënojë mbi 41°C.

Më të prekurat do të jenë qarqet e Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit, ndërsa në zona si Kuçova, Ura Vajgurore, Belshi dhe Kopliku temperaturat mund të kalojnë lehtësisht kufirin e 41 gradëve. Edhe Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra dhe Saranda do të përjetojnë vapë intensive, me temperatura që do të luhaten nga 37 deri në 39°C.

Sipas meteorologut, edhe netët do të jenë të nxehta, pasi temperaturat minimale në ultësirën perëndimore do të variojnë nga 22 deri në 28°C, ndërsa në zonat malore nuk pritet të zbresin nën 20°C. Lagështia e lartë do ta bëjë temperaturën e perceptuar edhe 4–6 gradë më të lartë, duke e bërë vapën më të rëndë, sidomos gjatë orëve të mesditës.

Megjithatë, parashikimet sjellin edhe një lajm pozitiv. Duke nisur nga dita e diel, temperaturat pritet të pësojnë një rënie graduale, ndërsa freskimi do të ndihet më qartë nga e hëna, kur maksimumet do të zbresin në rreth 35–36°C për disa ditë.

Ndërkohë, gjatë pasditeve të së enjtes dhe të premtes priten vranësira dhe rrebeshe të shkurtra shiu në zonat veriore dhe lindore të vendit, me mundësi lokale për breshër, kryesisht në qarkun e Pukës dhe zonën e Bajram Currit. Sipas parashikimeve, fundi i korrikut mund të sjellë sërish një tjetër valë të fortë të të nxehtit.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *