Skip to content

Policia e Shtetit, publikohen emrat e 9 kandidatëve për postet drejtuese, largohet Neritan Nallbati

Zbulohen 9 kandidatët për postet drejtuese në Policinë e Shtetit, Nallbati nuk është në garë

Pas shpalljes së garës nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, për drejtimin e tre departamenteve kryesore të institucionit, janë bërë të ditur emrat e nëntë kandidatëve që kanë paraqitur aplikimin.

Konkursi zhvillohet për drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale, Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin. Në garë mund të marrin pjesë vetëm oficerët që mbajnë gradën “Drejtues”.

Mes kandidatëve janë emra të njohur të Policisë së Shtetit, si drejtori aktual i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi, drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Muça, si edhe Lorenc Panganika, Artan Barjaktari, Idajet Faskaj, Lutfi Minxhozi, Ferdinand Mara, Hergis Jica dhe drejtori i Operacionales, Alban Dautaj.

Në listë mungon drejtuesi aktual i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, i cili nuk ka paraqitur kandidaturën, duke sinjalizuar largimin e tij nga ky post. Nallbati e drejtonte këtë departament që prej 1 gushtit 2022.

Departamenti i Policisë Kriminale, një nga strukturat më të rëndësishme të Policisë së Shtetit, pritet të ketë një drejtues të ri. Sipas burimeve, Lorenc Panganika dhe Alban Dautaj konsiderohen ndër kandidatët më të favorizuar për këtë detyrë, falë përvojës së tyre shumëvjeçare në radhët e policisë.

Pas mbylljes së fazës së aplikimeve, kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të konkurrimit dhe vlerësimit me pikë. Tre kandidatët që do të renditen më lart do të shpallen fitues, ndërsa drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, do të përzgjedhë emrin për secilin departament dhe do t’ia propozojë ministrit të Brendshëm, i cili do të marrë vendimin përfundimtar.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *