Disa persona helmohen nga tymi gjatë protestës në Sferkë, njëri dërgohet në spital
Disa persona kanë pësuar helmim nga tymi mbrëmjen e së martës në fshatin Sferkë, ku po zhvillohej një protestë lidhur me situatën e krijuar në zonë. Për ngjarjen ka reaguar Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka konfirmuar se në vendngjarje kanë intervenuar menjëherë Policia e Kosovës, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur se një person është transportuar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, ndërsa disa persona të tjerë kanë marrë ndihmën e parë në vendngjarje.
“Si pasojë e situatës së krijuar në vendin e ngjarjes janë Policia e Kosovës, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit. Një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa personat e tjerë janë trajtuar në vendngjarje”, deklaroi Nikçi.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se është kërkuar angazhimi i ekipeve shtesë të zjarrfikësve për lokalizimin e zjarrit në zonë.
Lidhur me zjarrin që përfshiu një deponi mbeturinash javën e kaluar, autoritetet kanë autorizuar ekspertë të zjarreve për të përcaktuar shkaqet e tij. Nëse hetimet vërtetojnë se zjarri është shkaktuar nga veprimi i njeriut, do të ndërmerren masa ligjore ndaj personave përgjegjës.
Hetimet për rastin janë ende në zhvillim, ndërsa institucionet kompetente vijojnë të monitorojnë situatën në terren.


Be First to Comment