🔥 Rritet rreziku nga zjarret, temperaturat arrijnë deri në 39°C
Tetë qarqe të Shqipërisë pritet të përballen këtë fundjavë me rrezik të lartë për përhapjen e zjarreve, ndërsa temperaturat pritet të ngjiten deri në 39°C.
Sipas Buletinit të Rreziqeve të Institutit të Gjeoshkencave, zonat më të ekspozuara ndodhen kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Rrezik i lartë parashikohet në Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë, niveli i përgjithshëm i rrezikut është më i ulët, megjithatë në disa zona të veçanta edhe aty mund të shfaqen vatra me rrezik të lartë.
🔥 Situata më e rënduar në Mallakastër
Në qarkun e Fierit vijon prej disa ditësh lufta me flakët në disa fshatra të Mallakastrës. Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, zjarri ka përfshirë rreth 180 hektarë, ndërsa situata më kritike raportohet në Panahor.
Për shuarjen e flakëve po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetëra forca zjarrfikëse dhe ushtarake. Deri tani, autoritetet bëjnë të ditur se banesat nuk janë në rrezik të drejtpërdrejtë.
🌲 Zjarre edhe në Dajt dhe Elbasan
Vatra zjarri janë aktive edhe në zonën e Dajtit, kryesisht në masivin pyjor pranë Priskës dhe Çakalleshit. Operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve vijojnë, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Edhe në qarkun e Elbasanit janë raportuar disa vatra, mes tyre në Shqiponjë, malin e Dardhës dhe Mjekës. Sipas autoriteteve, zjarri në Shqiponjë është vënë nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar.
🔥 Rindezje e zjarrit në Berat
Në Bashkinë Berat është rindezur zjarri në fshatin Kostren 2. Ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për neutralizimin e flakëve.
🚒 Mbi 500 forca në terren
Në të gjithë vendin, operacionet kundër zjarreve po zhvillohen me 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale. Në ndihmë të tyre janë angazhuar edhe 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe avioni “Air Tractor”.
Me rritjen e temperaturave gjatë fundjavës, autoritetet paralajmërojnë se rreziku për përhapjen e zjarreve mund të shtohet, veçanërisht në qarqet e klasifikuara me nivel të lartë rreziku.
⚠️ Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri.
