Skip to content

Mrekullia në Pukë! Historia e pazakontë e pilotit që lufton zjarret

“Besoj se shpëtuam”, banori rrëfen momentet e frikshme nga zjarri në Pukë

 

Një prej vatrave më të rrezikshme të zjarrit në ditët e fundit është shënuar në zonën e Gojan-Gjegjanit në Pukë, ku flakët për ditë me radhë kërcënuan banesat dhe pronat e banorëve. Situata e vështirë, terreni i thyer dhe përmasat e zjarrit bënë që banorët ta përjetonin si një betejë të vërtetë me flakët.

 

Një prej banorëve, shtëpia e të cilit ndodhej mes dy vatrave të zjarrit, ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që u angazhuan në shuarjen dhe monitorimin e flakëve.

 

Falënderim i veçantë është adresuar për Forcat Ajrore dhe pilotin nënkolonel Klajdi Tushe, i cili prej ditësh ka ndërhyrë nga ajri në zonat më të rrezikshme. Sipas banorit, në momentet kur dukej se situata po dilte jashtë kontrollit, ndërhyrjet e tij me hedhjet e ujit kanë qenë vendimtare.

 

Mirënjohje është shprehur edhe për zjarrfikësit e Pukës, të cilët kanë qenë në terren që nga dita e parë, si dhe për efektivët e ardhur në ndihmë nga Fushë-Arrëzi, Kukësi, Shkodra, Hasi dhe Kamza.

 

“Besoj se shpëtuam!”, shkruan banori, duke vlerësuar edhe angazhimin e Forcave të Armatosura, gazetarëve dhe të gjithë strukturave që kontribuuan gjatë operacionit.

 

Ai thekson se në këto ditë të vështira banorët treguan solidaritet, duke punuar ditë e natë për të mbrojtur banesat, pronat dhe njëri-tjetrin.

 

“Morëm një mësim të mirë: kur jemi të gjithë bashkë, mund të bëjmë punë të mëdha”, shprehet ai.

 

Në fund, banori e përshkruan reagimin e tij si “fjalë zemre” nga një qytetar i thjeshtë, i cili e kishte shtëpinë të rrethuar nga dy vatra zjarri.

Published inNews Shqip