Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar, Eroll Shehu, ka bërë të ditur se ende nuk kanë dalë rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike lidhur me inspektimin e zhvilluar në fabrikën e qumështit “Vita”.
Në një konferencë për media, Shehu sqaroi se kontrolli është realizuar në zbatim të vendimit të ministrit dhe në përputhje të plotë me procedurat ligjore në fuqi.
Ai theksoi se inspektimi është kryer gjatë orarit zyrtar të punës dhe se i gjithë procesi ka qenë transparent, ndërsa ekipet inspektuese kanë qenë të dokumentuara me kamera gjatë gjithë kohës.
“Inspektimi është bërë si kërkesë e vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, gjatë orarit. Sa i përket ciklit të inspektimit, ai ka qenë transparent. Tërë kohën i kemi pasur kamerat rreth vetes dhe tani jemi në pritje të rezultateve nga laboratori”, u shpreh Shehu.
Sipas tij, institucionet nuk do të japin asnjë përfundim pa u përmbyllur analizat laboratorike, të cilat pritet të ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi gjetjet e inspektimit.
Rasti i fabrikës së qumështit “Vita” ka ngjallur interes të madh publik gjatë ditëve të fundit. Autoritetet kanë bërë të ditur se rezultatet zyrtare do të publikohen sapo të përfundojnë analizat dhe të mbyllen të gjitha procedurat përkatëse.
Deri atëherë, institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të presin informacionin zyrtar dhe të shmangin spekulimet lidhur me rezultatet e inspektimit.

Be First to Comment