Protestuesja humb ndjenjat gjatë tubimit në Tiranë, merr ndihmën e parë mes turmës
Një incident është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, ku një prej pjesëmarrëseve nuk është ndjerë mirë dhe është rrëzuar në tokë, duke shkaktuar shqetësim te protestuesit.
Situata u vu re menjëherë nga organizatorët dhe të pranishmit, të cilët kërkuan ndërhyrjen e ambulancës, ndërsa një mjeke që ndodhej mes turmës i dha ndihmën e parë qytetares.
Fatmirësisht, pas ndërhyrjes së shpejtë, protestuesja e rifitoi gjendjen e mirë shëndetësore dhe situata u normalizua.
Protesta e kësaj të shtune shënoi ditën e 35-të të tubimeve qytetare në kryeqytet. Në marshim morën pjesë edhe shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh jashtë vendit, të cilët iu bashkuan protestuesve në mbështetje të kërkesave të tyre.
Tubimi përkoi edhe me 62-vjetorin e lindjes së kryeministrit. Disa protestues kishin sjellë torta simbolike me mesazhe që kërkonin dorëheqjen e tij, si dhe objekte të tjera simbolike, përfshirë një kostum burgu dhe një tortë të dekoruar me motive që lidhen me betonizimin. Gjatë protestës u rrëzua gjithashtu një bust simbolik me mbishkrimin “Diktatori i fundit”.
Pjesëmarrësit theksuan se kërkesat e tyre mbeten të njëjta si në protestat e mëparshme. Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën edhe fjalime me fokus kërkesat për dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime në drejtimin politik të vendit.

Be First to Comment