Skip to content

Deklarata e fortë e avokatit Beqiri: “Protesta duhet të hetohet!”

Beqiri: Thirrjet për “revolucion” dhe rrëzimin e rendit kushtetues duhet të hetohen

Avokati Idajet Beqiri ka ngritur shqetësimin për deklaratat dhe veprimet e shfaqura gjatë protestave, duke argumentuar se thirrjet për “revolucion” dhe rrëzimin e rendit kushtetues duhet të jenë objekt i hetimeve nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Beqirit, kërkesa që një qeveri teknike të përcaktohet nga protestuesit dhe jo përmes procedurave të parashikuara nga Kushtetuta përbën një çështje që, sipas tij, duhet të shqyrtohet nga organet e drejtësisë.

Ai theksoi se në raste të caktuara, deklaratat apo veprimet gjatë protestave mund të përbëjnë indicie për vepra penale dhe se institucionet duhet t’i analizojnë ato në përputhje me ligjin.

“Thirrjet për revolucion, kërkesa për një qeveri teknike të zgjedhur nga protestuesit dhe synimi për të rrëzuar rendin kushtetues janë çështje që duhet të hetohen”, deklaroi Beqiri.

Avokati përmendi gjithashtu raste kur gjatë protestave shfaqen simbole apo kryhen veprime provokuese, si dhe situata ku ka përplasje apo sulme ndaj Policisë së Shtetit.

Sipas tij, edhe këto episode duhet të verifikohen nga institucionet kompetente, pavarësisht rrethanave dhe pretendimeve të palëve.

Beqiri kërkoi që organet e drejtësisë të mos anashkalojnë indiciet e bëra publike dhe të vlerësojnë nëse veprimet e caktuara gjatë protestave përbëjnë shkelje të ligjit.

“Institucionet e shtetit të së drejtës nuk duhet të mbyllin sytë ndaj këtyre rasteve. Çdo indicie duhet të verifikohet dhe të trajtohet sipas procedurave ligjore”, u shpreh ai.

Published inNews Shqip