Trump zbulon deklarata të forta në regjistrime private: “I thashë Putinit se do të bombardoja Moskën”
Regjistrime audio nga takime private të Donald Trump me donatorë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 kanë nxitur reagime, pasi ish-presidenti amerikan shfaqet duke bërë deklarata të forta për Rusinë dhe Kinën.
Sipas CNN, që ka siguruar materialet audio, Trump pretendon se gjatë mandatit të tij i kishte paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin se një sulm ndaj Ukrainës do të përballej me një përgjigje të ashpër.
“Nëse hyn në Ukrainë, do ta bombardoj Moskën. Nuk kam zgjidhje tjetër,” dëgjohet të thotë Trump në një nga regjistrimet, duke shtuar se Putin nuk e kishte besuar plotësisht paralajmërimin, por kishte menduar se ekzistonte një mundësi që ai ta zbatonte.
Në të njëjtat regjistrime, Trump thotë se kishte përdorur një qasje të ngjashme edhe ndaj presidentit kinez Xi Jinping, duke pretenduar se e kishte paralajmëruar për pasoja të rënda në rast të një sulmi ndaj Tajvanit. Sipas tij, Xi e kishte konsideruar deklaratën si të pazakontë, por marrëdhëniet mes tyre nuk u dëmtuan.
Regjistrimet janë pjesë e materialeve të përdorura për librin “2024”, i cili pritet të publikohet së shpejti dhe përfshin biseda të zhvilluara në takime private me donatorë në Florida dhe Nju Jork.
Gjatë këtyre takimeve, Trump kritikoi edhe ish-presidentin Joe Biden, ndërsa u ndal edhe te protestat pro-palestineze në universitetet amerikane. Ai deklaroi se, nëse do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, do të ndërmerrte masa të ashpra ndaj studentëve të huaj që përfshihen në protesta të tilla.
Po ashtu, Trump tregoi një episod nga fushata e tij për mbledhjen e fondeve, duke pretenduar se kishte bindur një donator të rriste kontributin nga 1 milion në 25 milionë dollarë, duke e cilësuar këtë si shembull të aftësisë së tij për të siguruar mbështetje financiare.

Be First to Comment