William Walker propozon Faton “Tony” Bislimin për President të Kosovës
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë dhe diplomati amerikan në pension, William G. Walker, u ka dërguar një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në të cilën propozon Faton “Tony” Bislimin si kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Sipas letrës së siguruar nga Telegrafi, Walker ka shprehur shqetësimin për vonesat në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë që kandidatura e Bislimit të merret seriozisht në konsideratë.
Në letrën e tij, diplomati amerikan argumenton se Kosovës i nevojitet një figurë që mund të përfaqësojë vendin përtej ndarjeve politike, duke pasur njëkohësisht përvojën, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ushtruar funksionin e presidentit.
Walker shprehet gjithashtu skeptik se zgjedhjet e reja do të mund të zgjidhnin ngërçin aktual politik. Sipas tij, vendit i duhet një zgjidhje që do të mundësonte stabilitet institucional dhe funksionim normal të institucioneve.
“Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri”, ka shkruar Walker në letrën drejtuar liderëve të partive politike.
Diplomati amerikan ka bërë të ditur se ka dëgjuar për disa emra që mund të konsiderohen për këtë post, por sipas vlerësimit të tij, Faton Bislimi është kandidati që i përmbush më së miri kriteret e kërkuara.
Walker ka thënë se e njeh Bislimin prej shumë vitesh dhe se gjatë kësaj periudhe kanë diskutuar për çështje të ndryshme që lidhen me politikën e Kosovës, zhvillimet në rajon dhe pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, Bislimi dallohet për pavarësinë në mendim, aftësinë për të shprehur qartë qëndrimet e tij dhe përkushtimin ndaj interesit publik.
Në letrën e tij, Walker ka renditur edhe disa nga arsyet pse e konsideron Bislimin të përshtatshëm për postin e presidentit. Ndër to përmend përvojën ndërkombëtare, duke theksuar se Bislimi ka jetuar, studiuar dhe udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut.
Sipas Walkerit, kjo përvojë i ka mundësuar Bislimit të krijojë një perspektivë më të gjerë mbi zhvillimet ndërkombëtare dhe rolin që Kosova mund të ketë në arenën globale.
Në vlerësimin e tij, një tjetër avantazh është edhe formimi akademik i Bislimit. Walker përmend studimet e tij në Kosovë, SHBA dhe Kanada, si dhe përvojën në fushën e arsimit, ku ka shërbyer si ligjërues dhe edukator.
