Një person është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së martës në fshatin Jelloc të Klinës. Sipas burimeve të Indeksonline, bëhet fjalë për një të ri, i cili dyshohet se ka humbur jetën në rrethana që lidhen me vetëvrasjen.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 06:20 është njoftuar për një person të gjetur pa shenja jete në Jelloc. Njësitë policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen.
Zëdhënësi i Policisë, Driton Rugova, deklaroi se me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është regjistruar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
