Skip to content

Djali i Thaçit reagon pas zhvillimeve të fundit, paralajmëron për hapin e radhës

Endrit Thaçi reagon pas përplasjes në protestë: “E turpshme ajo që ndodhi me veteranët”

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas protestës së mbrëmshme para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kërkuan miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Në reagimin e tij, Thaçi i ka cilësuar si të turpshme veprimet e Policisë ndaj protestuesve, duke kritikuar Qeverinë për mënyrën se si u menaxhua situata.

“Është e turpshme që sot, kur jetojmë në liri që e solli UÇK-ja, të kemi një qeveri që godet veteranët dhe fëmijët e dëshmorëve”, ka shkruar ai, duke e cilësuar situatën si një “pabesi që kurrë nuk do të harrohet”.

Protesta e së hënës mbrëma u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë, me përdorim të gazit lotsjellës dhe topit të ujit. Sipas raportimeve, pati të lënduar në mesin e protestuesve dhe zyrtarëve policorë.

Endrit Thaçi ka bërë gjithashtu thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për sot në orën 12:00 në Prishtinë, e cila ka në fokus kërkesën për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Published inNews Shqip