Skip to content

Lëvizje e papritur në politikë, figura e njohur largohet nga partia

Vlora Mjekiqi-Kabashi, asambleiste e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Obiliqit, ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që ka mbajtur në këtë parti.

Ajo ka bërë të ditur se, pavarësisht largimit nga LDK-ja, do ta vijojë mandatin e saj si asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit.

Mjekiqi-Kabashi ka treguar se krahas detyrës së asambleistes, ka shërbyer edhe si kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Obiliq, si dhe delegate në Kuvendin Zgjedhor të partisë.

Në reagimin e saj përmes një postimi në Facebook, ajo ka shpjeguar se vendimi lidhet me qëndrimin e saj ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe mospajtimin me qëndrimin që, sipas saj, ka mbajtur LDK-ja.

Ajo ka theksuar se e konsideron luftën e UÇK-së si një luftë për liri dhe ka përmendur mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s, duke nënvizuar se, sipas saj, liria qëndron mbi çdo përkatësi partiake.

“E vetëdijshme se Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e mbështetur edhe nga SHBA-ja dhe NATO-ja, dhe e bindur se liria është më shumë se çdo përkatësi partiake. Pasi LDK-ja nuk e mbështeti këtë parim themelor se liria është mbi çdo parti, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që kam në LDK”, ka shkruar ajo.

Pas dorëheqjes nga partia, Mjekiqi-Kabashi ka bërë të ditur se do të vijojë aktivitetin e saj politik si asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit.

Published inNews Shqip