Tragjedi në Greqi: 16-vjeçari shqiptar humb jetën në aksident rrugor
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur zonën e Kastorias në Greqi, ku një 16-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pas përmbysjes së një automjeti bujqësor në orët e para të mëngjesit.
Sipas mediave greke, në mjet udhëtonin pesë të rinj, katër prej tyre të mitur dhe një i rritur. Automjeti drejtohej nga një 17-vjeçar, i cili nuk posedonte leje drejtimi dhe së shpejti do të mbushte 18 vjeç.
Ngjarja ndodhi në një rrugë rurale pranë pyllit të Mesopotamias, ku për arsye ende të paqarta drejtuesi humbi kontrollin e mjetit. Automjeti doli nga rruga dhe u përmbys, duke shkaktuar pasoja tragjike.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës. 16-vjeçari shqiptar u nxor nga automjeti në gjendje kritike dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Kastorias.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, i riu nuk arriti të mbijetojë dhe u shpall i vdekur në spital.
Katër personat e tjerë që ndodheshin në automjet kanë pësuar lëndime të lehta dhe po marrin kujdesin e nevojshëm, ndërsa ndodhen nën tronditjen e ngjarjes.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit fatal.