Qeveria miraton Planin Operativ 2026 për punësim, mbi 40 milionë euro për vende të reja pune dhe mbështetje biznesesh
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Planin Operativ për programet dhe masat aktive të punësimit për vitin 2026, duke ndarë më shumë se 40 milionë euro për nxitjen e punësimit dhe zhvillimin e sipërmarrjes.
Plani, i prezantuar nga ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, dhe drejtori i Agjencisë për Punësim, Adnan Ejup, parashikon përfshirjen e mbi 10 mijë qytetarëve në programe të ndryshme që synojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mundësive në tregun e punës.
Sipas institucioneve, fokusi kryesor do të jetë te të rinjtë, personat që kërkojnë punë për një periudhë të gjatë, si dhe grupet më të cenueshme të shoqërisë. Një pjesë e rëndësishme e fondit do të përdoret për mbështetjen e vetëpunësimit dhe hapjen e bizneseve të reja.
Mbi 2 mijë qytetarë do të kenë mundësi të përfitojnë grante për nisjen e aktiviteteve të tyre afariste. Përkrahja financiare për individët do të arrijë deri në 615 mijë denarë, ndërsa për projekte të përbashkëta biznesi mund të shkojë deri në 1.23 milion denarë.
Plani përfshin edhe programe trajnimi profesional, praktika pune, projekte të punëve publike, mbështetje për ekonominë e kujdesit, si dhe iniciativa të veçanta për të rinjtë.
Ndër masat e reja të parashikuara për vitin 2026 janë trajnimet për zjarrfikës, programet për verifikimin e kualifikimeve profesionale dhe mbështetja për sektorin e transportit dhe drejtuesit e automjeteve të rënda.
Me këtë paketë masash, qeveria synon të rrisë punësimin, të forcojë ekonominë dhe të krijojë më shumë mundësi për zhvillim profesional dhe ekonomik në vend.