Skip to content

E FUNDIT / Ambasada Amerikane del me njoftim të rëndësishëm për Kosovën

SHBA-ja me thirrje të re për Kosovën: Udhëheqësit politikë të bashkëpunojnë për zhbllokimin e institucioneve

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjen ndaj liderëve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për tejkalimin e ngërçit institucional dhe formimin e institucioneve të reja, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

 

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se partitë politike duhet të punojnë së bashku për t’i dhënë fund bllokadës institucionale.

 

Sipas tij, situata aktuale po i shkakton Kosovës humbje të mundësive për zhvillim dhe përparim.

 

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi amerikan.

 

Kjo është thirrja e dytë e ngjashme nga pala amerikane brenda një periudhe të shkurtër. Më 12 gusht, edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u kishte bërë thirrje liderëve politikë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen e krizës.

 

Thirrja e fundit amerikane vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

 

Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht, kur deputetët bënë betimin. Megjithatë, procesi mbeti i bllokuar në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë politike, duke argumentuar se ende nuk kishte një marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi u caktua për 8 gusht.

 

As në seancën e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi përsëri kohë për konsultime, ndërsa gjatë seancës ndodhi edhe një incident, kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij.

 

Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet. Që nga ajo kohë, procesi i konstituimit të Kuvendit ka mbetur i bllokuar.

 

Dehari ka deklaruar se seanca e radhës do të thirret kur partitë politike të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike nuk ka kuptim që Kuvendi të mblidhet vetëm për një procedurë formale.

 

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, më 18 gusht Albin Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në qendër të diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës.

 

Pas takimit, të dy palët deklaruan se ekzistonte vullneti për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u pajtuan që në takimin e ardhshëm të diskutonin edhe emra konkretë për president.

 

Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar që seanca e Kuvendit të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike.

 

Më 12 gusht, deputetë të këtyre partive u mblodhën në sallën e Kuvendit duke kërkuar nga Avni Dehari që të thërrasë vazhdimin e seancës. Gjatë kësaj kohe pati edhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe atyre të LVV-së.

 

Për zgjidhjen e krizës institucionale ka bërë thirrje edhe Bashkimi Evropian. BE-ja ka paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund të ndikojnë në aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.

 

Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në formë grantesh dhe kredish të favorshme deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, pagesat janë të lidhura me përmbushjen e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.

 

Komisioni Evropian ka përcaktuar gjithsej 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë ishte 30 qershori 2026. Ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.

 

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se zgjatja e krizës politike ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave të Planit të Rritjes dhe në sigurimin e financimeve të jashtme.

Published inNews Shqip