Fundjava pritet të dominohet nga moti i kthjellët dhe temperaturat shumë të larta, me termometrin që në disa zona do të ngjitet deri në 41 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve meteorologjike, vendi do të mbetet nën ndikimin e masave të qëndrueshme ajrore, të favorizuara nga presioni i lartë atmosferik dhe anticiklonet afrikanë e të Azoreve, duke sjellë mot kryesisht me diell në të gjithë territorin.
Në zonat malore mund të ketë vranësira të pakta kalimtare, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin rreth 22 gradë Celsius dhe maksimalet do të arrijnë deri në 41 gradë. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, me shpejtësi rreth 7 m/s, ndërsa deti do të jetë i qetë, me valëzim 1-2 ballë.
Edhe ditët e para të javës së ardhshme do të vijojnë me mot të nxehtë dhe të kthjellët, ku në disa zona temperaturat do të mbeten në intervalin 40-41 gradë Celsius.
Një ndryshim i motit pritet nga mesi i javës. Parashikimet tregojnë shtim të vranësirave, reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit, si dhe shtrëngata të shkurtra të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima.
Njëkohësisht pritet edhe forcim i erës, me shpejtësi nga 8 deri në 18 m/s, ndërsa temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, duke zbritur në rreth 35-36 gradë Celsius.

Be First to Comment