Skip to content

Luca kritikon situatën: “Rama po na çon drejt Europës, por njerëzit kanë të drejtë të protestojnë”

I ftuar në emisionin “Të PaEkspozuarit” me gazetarin Ylli Rakipi, biznesmeni Gjergj Luca ka komentuar situatën aktuale politike dhe sociale në vend, ndërsa Shqipëria vijon të përballet me protesta prej 48 ditësh.

Luca u shpreh se nuk është kundër protestave dhe se qytetarët kanë të drejtë të reagojnë për çështjet që lidhen me administrimin lokal. Ai tha se është i gatshëm t’u bashkohet protestuesve kur bëhet fjalë për problematikat e pushtetit vendor, të cilin e kritikoi ashpër.

Sipas biznesmenit, drejtimi i bashkive duhet t’u besohet njerëzve me përvojë dhe jo individëve të zgjedhur vetëm mbi baza politike. Ai kërkoi depolitizimin e administratave vendore dhe përfshirjen e profesionistëve në drejtimin e qyteteve.

“Qytetarët kanë të drejtë të ngrihen dhe të kërkojnë ndryshime, sidomos për problemet që lidhen me administratën shtetërore dhe pushtetin lokal. Bashkitë duhet të drejtohen nga njerëz që kanë aftësi dhe vizion për t’u shërbyer qyteteve”, u shpreh Luca.

Nga ana tjetër, ai kritikoi sulmet ndaj biznesit dhe prodhuesve, duke theksuar se sipërmarrësit kontribuojnë në ekonomi, krijojnë vende pune dhe paguajnë taksa që mbështesin shërbimet publike.

“Biznesi dhe prodhuesit janë ata që mbajnë gjallë ekonominë, japin paga dhe sjellin mirëqenie. Nuk duhet të goditen njerëzit që punojnë dhe investojnë për vendin”, tha ai.

Gjatë intervistës, Luca foli edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai vlerësoi angazhimin e kryeministrit Edi Rama për këtë objektiv, duke thënë se sipas tij qeveria po punon për ta afruar vendin me Europën.

“Ky është një objektiv i madh dhe duhet të punohet për ta çuar Shqipërinë drejt Europës”, u shpreh Gjergj Luca.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *