FIFA sqaron përfundimisht kohëzgjatjen e pushimit në finalen e Botërorit
FIFA ka dhënë sqarimin përfundimtar lidhur me një nga çështjet më të diskutuara para finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin “MetLife” në New Jersey.
Sipas vendimit të institucionit më të lartë të futbollit botëror, pushimi mes dy pjesëve të finales do të zgjasë 17 minuta, vetëm dy minuta më shumë se pushimi standard i një ndeshjeje futbolli.
Nga kjo kohë, rreth 11 minuta do t’i dedikohen spektaklit muzikor me artistë të ftuar, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për organizimin teknik të skenës dhe për mirëmbajtjen e fushës.
Ditët e fundit qarkulluan raportime se pushimi i finales mund të zgjatej mbi 30 minuta për shkak të numrit të madh të performancave, por FIFA ka mohuar një mundësi të tillë dhe ka konfirmuar se koha do të mbetet brenda kufijve të përcaktuar.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe gjendjes së terrenit në stadiumin “MetLife”. Stafi teknik i Spanjës ka shprehur shqetësime për cilësinë e barit në këtë impiant, ndërsa ujitja e fushës gjatë pushimit pritet të ndihmojë në krijimin e kushteve optimale për lojtarët.
Ndërkohë, FIFA do të ruajë edhe rregullin për ndërprerjet e hidratimit. Për shkak të temperaturave të larta gjatë turneut, skuadrat do të kenë sërish të drejtën për nga një pushim hidratimi në secilën pjesë të lojës.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë një nga përballjet më të ndjekura të këtij Botërori, me interes të madh jo vetëm për rezultatin sportiv, por edhe për spektaklin jashtë fushës.

Be First to Comment