Hita: Monitorimi inteligjent po zëvendëson kontrollet tradicionale në rrugë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë këtë të premte në aktivitetin sensibilizues për sigurinë rrugore, të zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Hita theksoi se Policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re të monitorimit të trafikut, ku teknologjia inteligjente do të mundësojë evidentimin në kohë reale të shkeljeve rrugore.
Sipas tij, praktikat e mëparshme të kontrolleve të shpeshta dhe ndalimeve pa nevojë i përkasin së kaluarës, ndërsa tashmë prioritet është përdorimi i sistemeve moderne që garantojnë më shumë saktësi, transparencë dhe efikasitet.
“Koha e ndalimeve pa shkak apo e ‘gjuetisë’ së gjobave ka mbaruar. Nëpërmjet pajisjeve inteligjente si Poliscan, dronëve të avancuar dhe radarëve automatikë, shkeljet evidentohen në kohë reale, pa penguar qarkullimin dhe pa krijuar stres të panevojshëm për drejtuesit korrektë të mjeteve,” deklaroi Hita.
Ai nënvizoi se teknologjia mbetet një mjet i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm pa ndërgjegjësimin e qytetarëve. Në këtë kuadër, kreu i Policisë u bëri thirrje nxënësve, të rinjve dhe familjeve që të respektojnë rregullat bazë të sigurisë rrugore, duke vendosur rripin e sigurimit dhe shmangur përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit.
Hita vlerësoi gjithashtu rolin e fëmijëve në edukimin e kulturës rrugore, duke theksuar se mesazhet e tyre ndaj prindërve kanë një ndikim të madh në rritjen e ndërgjegjësimit.
Duke u ndalur te sezoni turistik, ai bëri të ditur se Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për përballimin e fluksit të shtuar të automjeteve gjatë muajve të verës.
“Fokusi ynë do të jetë në pikat më problematike të trafikut, në akset bregdetare dhe zonat turistike, me synimin për të rritur sigurinë rrugore, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të ofruar një shërbim sa më profesional për qytetarët dhe turistët,” tha ai.
Në përfundim, Hita theksoi se siguria rrugore është një përgjegjësi e përbashkët, ku kontributi i drejtuesve të mjeteve, autoshkollave, institucioneve arsimore dhe qytetarëve është thelbësor për uljen e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve në rrugë.