Avokati Arianit Koci ka bërë publik rrëfimin e një qytetari nga Kosova, i cili pretendon se është përballur me kërcënime dhe zhvatje gjatë kalimit në pikën kufitare Batrovci/Bajakovo, në dalje nga Serbia.
Sipas Kocit, qytetari me emrin Ilir e ka kontaktuar atë mbrëmjen e së dielës, ndërsa ai ka bërë të ditur se ia ka verifikuar identitetin dhe posedon dokumentet e tij. Megjithatë, avokati thekson se nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet lidhur me mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.
“Sonte më kontaktoi Iliri, një qytetar nga Kosova, identitetin e të cilit e kam verifikuar dhe dokumentet e tij i kam në posedim”, ka shkruar Koci.
Ai pretendon se gjatë kontrollit janë kontrolluar edhe telefonat e familjes, përfshirë fotografitë e ruajtura në to.
Sipas rrëfimit, pasi në telefonat e fëmijëve janë gjetur fotografi me flamurin shqiptar dhe atë të UÇK-së, policët e kanë kërcënuar me arrestim dhe dërgim në paraburgim në Beograd, duke i thënë se fëmijët do të mbeteshin vetëm nëse nuk paguante 2.000 euro.
“Sipas rrëfimit të tij, nga frika ai ua ka dhënë policëve 2.000 euro”, ka shtuar Koci.
