Skip to content

Moti i ditëve në vijim: temperatura të larta dhe kthjellime

Në një lidhje live për Euronews Albania, meteorologu Hakil Osmani ka bërë parashikimin e motit për fundjavën dhe javën e ardhshme.

Sipas tij, dita e sotme do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm me kthjellime të gjata në të gjithë territorin, veçanërisht në zonat bregdetare. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 36°C, ndërsa zona më e freskët do të jetë juglindja e vendit, me vlera që luhaten nga 28 deri në 30°C.

Dita e diel pritet të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave, ku maksimumet në rang vendi do të variojnë nga 34 deri në 35°C.

Osmani theksoi se edhe java e ardhshme do të vijojë me mot të qëndrueshëm, me intervale të gjata me diell dhe kalime të herëpashershme të vranësirave. Të hënën, pas orëve të mesditës, pritet shtim i vranësirave në pjesën lindore të vendit, duke përfshirë verilindjen, juglindjen dhe pjesërisht qendrën, ku mund të ketë edhe rrebeshe të izoluara shiu, kryesisht në zonat veriore dhe verilindore si Kukësi, Puka dhe Bajram Curri.

Edhe e marta do të nisë me kthjellime, por në pjesën e dytë të ditës priten vranësira dhe reshje të pakta, kryesisht në jug dhe juglindje, ndërsa vija bregdetare mbetet më e mbrojtur nga reshjet.

Sipas parashikimeve, temperaturat deri të mërkurën do të luhaten rreth 34–35°C, ndërsa nga e enjtja pritet një rritje e re e tyre, duke kaluar sërish mbi 36°C në shumë zona të vendit. Paralelisht, do të ketë edhe rritje të temperaturave minimale, si në zonat malore ashtu edhe në ultësirën perëndimore, duke bërë që moti i nxehtë të vazhdojë të mbetet dominant në vend.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *