Pretendime për sekuestrimin e 57 milionë dollarëve dhe 27 kilogramëve ar në shtëpinë e një deputeteje në Irak
Një operacion i gjerë kundër korrupsionit në Irak ka nxitur reagime të shumta, pas raportimeve se në shtëpinë e deputetes Hind Al-Abbasi janë sekuestruar 57 milionë dollarë para të gatshme, 27 kilogramë ar të pastër, si dhe të brendshme të zbukuruara me ar.
Sipas raportimeve, operacioni çoi në arrestimin e 47 personave, mes tyre deputetë dhe zyrtarë të lartë të administratës publike. Autoritetet thuhet se po vazhdojnë hetimet në kuadër të një fushate më të gjerë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.
Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga institucionet irakiane që vërteton sekuestrimin e shumës së përmendur të parave, 27 kilogramëve ar apo të sendeve të tjera të raportuara në banesën e deputetes. Edhe pse Hind Al-Abbasi figuron në faqen zyrtare të Parlamentit të Irakut, autoritetet nuk kanë publikuar detaje zyrtare lidhur me këtë rast.
Operacioni është pjesë e një aksioni të gjerë të ndërmarrë nga qeveria irakiane kundër korrupsionit, me bastisje të zhvilluara në disa lokacione, kryesisht në Bagdad. Sipas njoftimeve, të paktën shtatë deputetë dhe disa zyrtarë të lartë publikë janë ndaluar gjatë aksionit, ndërsa janë sekuestruar shuma të mëdha parash, ar, armë dhe municione.
Në një rast tjetër të bërë publik nga autoritetet gjyqësore të Irakut, gjatë një hetimi ndaj një ish-zëvendësministri të naftës u sekuestruan rreth 10 milionë dollarë para të gatshme, 3 miliardë dinarë irakianë, bizhuteri ari, armë të shumta dhe afro 40 prona.
Kryeministri Ali al-Zaidi ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë pa kompromis, duke paralajmëruar se operacionet mund të zgjerohen edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të dyshuar.

Be First to Comment