LARGOHET ANUELA RISTANI/ NËNKRYETARJA E BASHKISË SË TIRANËS JEP DORËHEQJEN PAS ZHVILLIMEVE TË FUNDIT
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka njoftuar largimin e saj nga detyra përmes një postimi në rrjetet sociale.
Vendimi vjen pak ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj revokoi delegimin e kompetencave që i kishte kaluar Ristanit në shkurt të vitit 2025, duke i dhënë asaj përgjegjësinë për drejtimin e institucionit gjatë periudhës së mungesës së tij.
Në mesazhin e saj publik, Ristani ka shprehur mirënjohjen për 11 vitet e angazhimit në administrimin e kryeqytetit. Ajo ka vlerësuar transformimin që, sipas saj, ka pësuar Tirana gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se largohet nga detyra me “krenari, përulësi dhe plot dashuri për qytetin”.
Ristani ka ndarë edhe kujtime nga vitet e para të angazhimit të saj në Bashkinë e Tiranës, duke iu referuar ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti ndër vite.
“Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër, por të gjatë të sheshit ‘Skënderbej’, që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota”, shkroi ajo.
Në vijim të mesazhit, Ristani theksoi rëndësinë e mënyrës se si qyteti do të perceptohet dhe zhvillohet në të ardhmen, ndërsa e mbylli reagimin e saj me falënderime për njerëzit që e kanë mbështetur.
SHFUQIZIMI I DELEGIMIT TË KOMPETENCAVE
Largimi i Ristanit vjen pas shfuqizimit të urdhrit nr. 366, datë 14.02.2025, përmes të cilit asaj i ishin deleguar kompetenca për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Delegimi ishte bërë si një masë e përkohshme për të garantuar vijimin e funksionimit të institucionit gjatë kohës kur Erion Veliaj ndodhej i arrestuar.
Me urdhrin e ri, shfuqizimi i delegimit hyri në fuqi menjëherë, duke i hequr Ristanit kompetencat që i ishin dhënë për drejtimin e bashkisë dhe duke ngarkuar strukturat përkatëse administrative me zbatimin e vendimit.
