Shtohet presioni ndaj Lumir Abdixhikut, degë të tjera të LDK-së pritet t’i kërkojnë dorëheqjen
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka dhënë sinjale se do të largohet nga drejtimi i partisë, pavarësisht kërkesave të shumta për dorëheqje që kanë ardhur nga disa prej degëve më të mëdha të subjektit. Madje, ai ka kritikuar drejtuesit e këtyre degëve, duke i cilësuar si pengues të proceseve brenda partisë.
Pas kërkesave të bëra nga degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë, sot dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe deputetja Hykmete Bajrami, një nga figurat më të njohura të kësaj partie.
Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, pakënaqësitë brenda LDK-së nuk pritet të ndalen. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe degë të tjera po përgatiten të kërkojnë përgjegjësi politike për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Mësohet se gjatë ditëve në vijim, kërkesa për dorëheqjen e Abdixhikut mund të vijë edhe nga degët e LDK-së në Prizren, Rahovec dhe qytete të tjera.
Një zhvillim të tillë e ka paralajmëruar edhe analisti politik Ilir Deda. Sipas tij, pakënaqësitë e akumuluara prej kohësh po dalin tashmë hapur në sipërfaqe.
“Fundin politik Lumirit nuk ia dëshiroj, por mendoj se është koha të bëjë një hap prapa. Kjo që po ndodh në LDK duket si rezultat i pakënaqësive të mbledhura ndër vite. Pas Pejës dhe Lipjanit pritet të reagojë edhe Dega e Dytë në Prishtinë, ndërsa sipas informacioneve që kam, mund të ketë edhe degë të tjera”, ka deklaruar Deda në emisionin “Politico”.
Kërkesat për dorëheqje
Fillimisht, Dega e LDK-së në Pejë kërkoi reflektim politik dhe përgjegjësi nga lidershipi qendror. Pas analizës së rezultatit zgjedhor, kryesia e kësaj dege vendosi me shumicë votash të kërkojë dorëheqjen e udhëheqjes së partisë.
Edhe Dega e LDK-së në Lipjan doli me një qëndrim të ngjashëm, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor në nivel vendi nuk mund t’u faturohet vetëm strukturave lokale, por lidhet edhe me funksionimin dhe organizimin e partisë në nivel qendror.
Më pas, dorëheqjen e Abdixhikut e kërkoi edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë.
Ndërkohë, deputetja Hykmete Bajrami ka ritheksuar nevojën për zgjedhje të brendshme në parti. Në një reagim publik, ajo ka kujtuar se edhe më herët kishte kërkuar përgjegjësi politike pas rezultatit zgjedhor, duke theksuar se standardet duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Sipas saj, LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe një proces të ri zgjedhor brenda partisë, në mënyrë që të rikthejë besimin dhe funksionimin demokratik të strukturave të saj.


Be First to Comment