Lëvizje e papritur nga Spiropali pas ftesës së protestuesve, mesazhi që mund të trazojë Ramën

Para Kuvendit u zhvilluan sërish tensione politike gjatë protestës së kësaj të enjteje, e cila shënoi ditën e 19-të të mobilizimit qytetar. Ndryshe nga herët e tjera, protestuesit u grumbulluan pranë godinës së Parlamentit në kohën kur brenda po zhvillohej seanca plenare.

Pas përfundimit të seancës, deputetët u detyruan të largoheshin përmes hyrjeve alternative, pasi hyrja kryesore ishte e bllokuar nga turma. Mes tyre ishte edhe deputetja socialiste, Elisa Spiropali, e cila, ndonëse zgjodhi një dalje tjetër, nuk i shpëtoi vëmendjes së protestuesve.

Qytetarët i drejtuan asaj një ftesë publike për t’iu bashkuar protestës, ndërsa përgjigjja e Spiropalit ishte e shkurtër: “Të gjithë kanë të drejtë të protestojnë”.

Ndërkohë, situata u tensionua për disa minuta kur protestuesit lëvizën papritur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt rrugës “Xhorxh Bush”, duke iu afruar perimetrit të Kuvendit. Për shkak të zhvillimeve, kryetari i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi, mbylli me urgjencë seancën plenare.

Menjëherë pas kësaj, Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit shtuan masat e sigurisë për të shmangur incidente të mundshme. Gjatë gjithë kohës, protestuesit brohorisnin slogane kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të saj.

Megjithatë, episodi u mbyll pa përplasje. Kryeministri dhe deputetët u larguan me automjete nga rrugë alternative, ndërsa protesta vijoi pa incidente të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *