Ushtria Amerikane konfirmon riorganizimin e trupave në Kosovë në kuadër të ndryshimeve të NATO-s
Komanda Evropiane e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se trupat amerikane në Kosovë do t’i nënshtrohen një riorganizimi gradual, në përputhje me vendimin e NATO-s për të reduktuar praninë e misionit paqeruajtës KFOR.
Ky zhvillim vjen pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili bëri të ditur se numri i trupave të KFOR-it do të rikthehet në nivelet para vitit 2023, duke u ulur nga rreth 4,700 trupa në 3,000 deri në 3,500 ushtarë.
Në një përgjigje zyrtare, Komanda Evropiane e SHBA-së theksoi se përshtatja e kontributit amerikan do të realizohet në disa faza dhe do të bazohet në vlerësimet e sigurisë dhe të rrezikut të kryera nga NATO.
“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të kryer nga SHAPE, NATO do të optimizojë pozicionimin e misionit të saj në Kosovë. Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të zbatojë një përshtatje graduale dhe të bazuar në vlerësimin e rrezikut të kontributit amerikan në KFOR”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, autoritetet amerikane theksojnë se misioni në Kosovë mbetet një element i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta konsiderojnë këtë mision si një komponent kyç të stabilitetit rajonal”, deklaroi zyrtari i Komandës Evropiane.
Sipas NATO-s, vendimi për zvogëlimin e numrit të trupave është rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë të mbetet i fokusuar në mandatin e tij kryesor për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 590 trupa të angazhuara në kuadër të misionit KFOR në Kosovë.











Leave a Reply