Për shkak të temperaturave të larta të parashikuara për ditën e premte, qarkullimi i automjeteve për transport mallrash me peshë mbi 20 tonë do të kufizohet përkohësisht në autoudhët e Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, masa do të zbatohet në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat pritet të arrijnë në 32 gradë Celsius ose më shumë.
Kufizimi vlen vetëm për autoudhët, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të vazhdojë normalisht, pasi nuk janë plotësuar kushtet për vendosjen e kësaj mase.
Autoritetet theksojnë se vendimi synon të mbrojë infrastrukturën rrugore dhe të lehtësojë qarkullimin e automjeteve të tjera gjatë orëve me temperatura më të larta.
Ministria bëri të ditur se do ta monitorojë situatën në vazhdimësi dhe se qytetarët, si edhe operatorët ekonomikë, do të informohen në kohë për çdo ndryshim të mundshëm të këtyre masave.

Be First to Comment